Home Editorial Mbi 1 milion shuplaka kundër mandatit të tretë të Edi Ramës

Mbi 1 milion shuplaka kundër mandatit të tretë të Edi Ramës

90
0

-Edi Rama nuk ka asnjë shans të marrë mandatin e tretë, por ka blerë mediat dhe sondazhet duke krijuar propogandë sikur fiton PS-ja. Ndërsa populli mezi pret datën 25 prill që të shkojë në kutitë e votimit kundër sektit kriminal rilindas që ka pushtuar PS-në dhe krejt jetën e shqiptarëve.

Dalja e koalicionit opozitar PD, LSI dhe aleatët me dy lista kandidatësh ka një synim të qartë. Më 25 prill, opozita e bashkuar synon të marrë rezultatin më spektakolar duke tejkaluar numrin e 1 milionë votave. 1  milion shuplakat që Edi Rama i mori falë koalicionit më LSI-në në vitin 2013, pas 57 do t’i kthehen të gjitha mbrapsht duke sjellë humbjen më poshtëruese për Rilindjen.

Lëvizja taktike e opozitës për të dale me dy lista zgjedhore, pritet të shtojë në mënyrë maksimale votat për frontin opozitar. Llogaritja është e thjeshtë. Në vitin 2013 Partia Demokratike me aleatët e saj tradicional morën 680 mijë vota. Viti 2017 për vetë PD nuk merret si referencë, pasi pranohet gjerësisht se shumica e votuesve tradicional të PD nuk dolën në votime pas marrëveshjes së gabuar Basha-Rama. Ndërkohë votat e koalicionit të PD pritet që në këto zgjedhje të njohin një rritje edhe më të madhe. Në grupin e PD janë  shtuar 76 mijë vota të Partisë Drejtësi për Integrim dhe Unitet, si dhe rreth 14 mijë vota të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe rreth 30 mijë vota të Frymës së Re Demokratike që drejtohej nga Bamir Topi, sipas rezultateve të vitit 2017, duke e çuar shifrën e koalicionit të së djathtë në më shumë se 780 mijë vota.

Ndërkohë rezultati i Lëvizjes Socialiste për Integrim në çdo zgjedhje ka ardhur duke u rritur dhe pas kaq vitesh në opozitë pritet të ketë një rritje dhe më të madhe. Në zgjedhjet e vitit 2017, LSI mori 226 mijë vota dhe sipas llogarive paraprake koalicioni opozitar i tejkalon 1.2 milionë vota dhe shuplaka kundër rilindjes. Edhe nëse llogaritja e peshës politike të opozitës bëhet sipas rezultatit më te keq të PD në vitin 2017, kur mori vetëm 460 mijë vota, sërish koalicioni me LSI, afrimi i PDIU, FRD-së dhe PBDNJ krijon avantazh të madh të koalicionit opozitar në krahasim me Partinë Socialiste të Edi Ramës që në këto zgjedhje hyn e vetme. Për shkak të partive të reja që janë krijuar si diversion ndaj PD dhe opozitës, largimit masiv të qytetarëve në emigrim dhe taktikave të qeverisë, numrat e partive që sot janë në frontin opozitar mund të kenë ndryshuar.

Por logjika normale politike njeh vetëm rritje të partive opozitare dhe largim të votuesve nga partia në pushtet. E kundërta nuk ndodhë asnjëherë. Shqiptarët kanë më shumë se 1 milionë arsye për të mos votuar Rilindjen. Pas tetë viteve në pushtet dhe një mbështetje masive që ju dha në vitin 2013, sot nuk ka më asnjë motiv për t’i dhënë një tjetër mandat një force politike që nuk ka bërë asgjë. Dje nga qyteti i Beratit, të vetmet premtime që bëri Edi Rama për mandatin e tretë ishin rindërtimi nga tërmeti dhe lufta ndaj pandemisë. Janë dy çështje të rëndësishme, por çdo qeveri që do të vijë më 25 prill mund ta bëjë shumë herë më mirë atë që pretendon se po bën PS me pandeminë dhe tërmetin. Askush nuk do t’i lërë njerëzit që humbën banesat jashtë dhe askush nuk do të lërë njerëzit në mëshirë të fatit përballë virusit vdekjeprurës. Qeveria “Rama” i la jashtë banorët e tërmetit dhe sot janë në vitin e dytë pa banesa dhe pandeminë e ktheu në katastrofë kombëtare me më shumë se 6 mijë viktima.

Sikur vetëm këto dy katastrofa të mendojnë njerëzit kur të votojnë më 25 prill, mjaftojnë për të dërguar Edi Ramën në shtëpi. Ndërkohë qeveria e tetëve viteve të PS ka aq shumë mëkate dhe zullume sa në historinë e vendit do të hyjë si më e keqja dhe një eksperiment që nuk duhet lejuar më të ndodh. Kur pushtetin e ka pasur vetëm një parti, Shqipëria ka parë vetëm regres. Edi Rama tregoi se timoni dhe tepsia që kërkoi e bënë vendin më keq dhe sollën me shumë varfëri dhe dështime të parimeve demokratike. Për këto dhe 1 milionë arsye të tjera, shqiptarët do të japin më shumë se një milionë vota kundër Rilindjes. Jo vetëm shifrat e dëshmojnë këtë, por dhe fryma ani-Rilindje që është ngritur në vend. Njerëzit nuk duan thjesht rotacion dhe ndërrim karrigesh, por një përmbysje dhe një model të ri qeverisës që opozita ka detyrë dhe mision ta sjellë më 25 prill.

Pavarësisht sondazheve false, në asnjë rast, Rilindja nuk rezulton të jetë në avantazh votash ndaj Frontit Opozitar.

Lajmet Kryesore

MË TË LEXUARAT

Më shumë nga Editorial

Më shumë nga Editorial

Lajmet e Fundit

Te Fundit