Home Historiku Edmond Harizi: Mbyten zërat për hyrjen në Parlament

Edmond Harizi: Mbyten zërat për hyrjen në Parlament

50
0

Përfundimisht deputetët demokratë jashtë parlamentit. Ka qenë Këshilli Kombëtar, ai që nuk ka dhënë viston për një konferencë të jashtëzakonshme ose për hyrjen e demokratëve në Parlament. Megjithëse ishte një gjë e pritshme, ndoshta nga mbledhja e djeshme diçka mund të ndryshohej. Por asgjë për t’u shënuar. Kanë qenë fare pak njerëzit, që kanë diskutuar pro hyrjes në Parlament, por kjo ka qenë si një zë në shkretëtirë. Gjithçka është zbehur shpejt. Dhe jo vetëm kaq. Por “pro-të” parlamentarë kanë marrë edhe epitetin “tradhtarë”, si njerëz që kanë ecur kundër vijës së Partisë Demokratike. Ka qenë një mbledhje maratonë, e cila ka filluar në orën 11 dhe ka përfunduar në 18.30 të ditës së djeshme.

Këshilli Kombëtar në miniaturë

Para se demokratët anëtarë të Këshillit Kombëtar të hynin në sallën e mbledhjes, jashtë te porta ka zënë vend një grup nga militantët demokratë. Thirrjet e tyre të vetme kanë qenë “Poshtë Parlamenti!” dhe “Parlament kriminelësh!”. Ndoshta kjo ka qenë edhe “hyrja” për Këshillin Kombëtar. Por megjithatë një grua, edhe ajo demokrate, ka bërë një “lutje” tjetër. “Më mirë të futemi në Parlament”- kanë qenë fjalët e saj ndoshta të pamenduara mirë. Të thëna në vendin e gabuar. Menjëherë kundër saj janë lëshuar disa gra të tjera me fjalë të ashpra, duke lënë të kuptohet se hyrja në Parlament duhet të jetë vetëm pas zgjedhjeve të reja. Por militantët kanë lëshuar edhe një “kërcënim”, nëse mund të ishte ndryshuar diçka në mendjen e Berishës apo të shumicës.“Nëse vendoset për të hyrë në Parlament, ne nuk shkelim më këtu”,- kanë qenë disa nga thirrjet.

Diskutimi për Parlamentin bëhet jashtë rendit të ditës

Që më parë ishte lajmëruar se Parlamenti nuk do të ishte rendi i ditës. Por kësaj radhe ka qenë Berisha ai që ka marrë përsipër të bëjë moderatorin. Sekretari i Përgjithshëm, Ridvan Bode ka lexuar rendin e ditës, në të cilin nuk përfshihej diskutimi për Parlamentin. Pas kësaj ai ka theksuar se nuk ka ardhur asnjë propozim tjetër për të hyrë në rend dite. Bode ka kërkuar që të gjithë të pranishmit të respektonin rendin e ditës. Pas kësaj është hedhur në votim, ku nuk ka patur asnjë kundër. Por ka qenë lideri demokrat, Berisha ai që ka propozuar që në rend të ditës të përfshihet edhe çështja e forumit demokrat studentor, si partner i PD-së dhe përveç kësaj edhe çështjet “ndryshe”. Në këto çështje Berisha ka patur parasysh, “padurimin” e disa demokratëve për diskutimin e çështjes së Parlamentit. Dhe ka qenë vetë ai që ka mbajtur fjalimin e parë në Këshillin Kombëtar. Dhe sipas rendit të ditës Berisha ka diskutuar për spastrimin etnik në Kosovë, sigurinë në Veri të Shqipërisë dhe revanshizmin e mazhoritarëve kundër demokratëve. Këtu Berisha është ndalur në mënyrë të veçantë në akuzat që u bëhen shumë demokratëve për ngjarjen e 14 shtatorit. “14 shtatori është gatuar në kuzhinën e Beogradit dhe të Moskës dhe është komunikuar nga Fatos Nano, nga Maqedonia së bashku me shefin e zbulimit maqedon”,- ka thënë Berisha. Por ai ka shtuar se çështja nevralgjike e demokratëve është zbardhja e vrasjes së Hajdarit. “Çështja Hajdari është çështje e ekzistencës ose mosekzistencës për Partinë Demokratike”- ka thënë Berisha. E ndërkohë që diskutohej për akuzat e shtetit ndaj demokratëve, dhe për kundërpërgjigjet e këtyre të fundit, si për karshillëk policia ndërmerr një aksion përpara zyrave të PD-së, ku dhe zhvillohej Këshilli Kombëtar. Ajo ka arrestuar ish-shoferin e deputetit Azem Hajdari, Sali Sula.

Zëri i proparlamentarëve mbytet nga të tjerët

Pas Berishës, fjalën e kanë marrë të tjerë demokratë, anëtarë të Këshillit. Ndërkohë që shumica e tyre u janë përmbajtur pikave të rendit të ditës, kjo nuk ka qenë tipike për disa “kokrra”. Të mbështetur tek fjala “të ndryshme” e Berishës, ata kanë diskutuar vetëm për çështjen që i shqetëson më shumë, Parlamentin. “Duhet të ndryshojë taktika e ndjekur deri tani nga Partia Demokratike”,- është shprehur ish-kryetari i PD-së, Tritan Shehu. Dhe për këtë ndryshim taktike, Shehu ka propozuar atë që është thënë me kohë prej tij, hyrjen e PD-së në Parlament. Diskutimi i Shehut është mbështetur menjëherë nga Ylli Vejsiu dhe më pas nga dy tre të tjerë, por me sa dukej gjithçka ishte e kotë.

“Kush të dojë le të shkojë”,- mësohet të ketë thënë Berisha. Por pas asaj “le të shkojë” gjithçka ka qenë e qartë. Ata që do të thyenin statutin e partisë nuk do të ishin më anëtarë të saj. Është diskutuar më pas edhe për një kompromis. Deputetët që donin të hynin në Parlament le ta zbatonin këtë, ndërkohë që të tjerët të qëndronin jashtë tij. Por kjo gjë nuk ka marrë miratimin e shumicës së Këshillit. Në fakt në Këshill sipas fjalëve të Shehut, ku ka mbaruar mbledhja nuk është votuar për të hyrë apo jo në Parlament. Kjo edhe sepse nuk është Këshilli ai që vendos për hyrjen, por Këshilli mund të hapte rrugë me një të katërtën e votave, për thirrjen e një Konference të Jashtëzakonshme. Mbështetësit e Berishës, që nuk donin të hynin në Parlament, kanë qenë disa herë më shumë se sa ata të ish-kryetarit. Kjo dhe ka bërë që Parlamenti të mbetej një çështje akoma tabu për demokratët. Dhe jo vetëm kaq, por ata që diskutuan kundër mendimit të kreut demokrat, Berisha, morën edhe damkën “tradhtarë”. E përveç kësaj, toni me të cilin u është drejtuar “tradhtarëve”, nga shumica e anëtarëve të Këshillit ka qenë i ashpër dhe fyes. Por nga kjo “e keqe” kanë shpëtuar dy prej figurave të njohura të PD-së. Albert Brojka, Kryetar i Bashkisë së Tiranës, i shprehur pro Parlamentit dhe Aleksandër Meksi, i cili megjithëse është deputet i Partisë Demokratike, nuk merr pjesë në Këshillin Kombëtar. Kjo për shkak se kur janë bërë zgjedhjet për Këshill, ai i ka bojkotuar dhe rrjedhimisht ka mbetur jashtë.

Ç’ndodhi pas mbledhjes

Shumica e anëtarëve të Këshillit Kombëtar kanë dalë nga mbledhja të lumtur, megjithëse në fytyrat e tyre vihej re lodhja. Asnjë prej tyre nuk ka qenë i gatshëm të jepej para kamerave të televizioneve. Por përjashtim ka bërë këtu, ish-kryetari Shehu, i cili edhe ka marrë guximin të thotë disa fjalë të njëjta me ato që tha në sallë, para derës kryesore së selisë demokratike. Nuk u kuptua se përse militantët e shumtë që ishin mbledhur dje përgëzonin anëtarët e Këshillit Kombëtar, por shpreheshin mjaft ashpër për ish-kryetarin e tyre. Në fakt ka qenë Berisha, ai që në një konferencë shtypi ka sqaruar gjithçka rreth çështjes “Parlament”. Por sigurisht për këtë Berisha ka folur në fund, pasi ai edhe në konferencë i është përmbajtur asaj çka ishte vendosur në rend dite në Këshill dhe jo “asaj çka u intereson gazetarëve”. Sipas Berishës ka patur edhe diskutime për Parlamentin, “nga ata që tashmë dihen, por unë nuk vërejta asgjë të re në argumentet e tyre”,- ka thënë ai. Por Berisha përsëri nuk ka dashur të luajë njeriun e prerë, kur ka deklaruar se kjo çështje përsëri mund të diskutohej. Por sipas kreut të bluve do të jetë nxjerrja para drejtësisë e vrasësve të deputetit Hajdari, ajo që do të mundësojë një rishikim të problemit të Parlamentit.

“Çështja Hajdari, ndërprerja e proceseve gjyqësore ndaj opozitës këto duhet të jenë hapat e qeverisë, që të vlerësohen nga opozita dhe pastaj t’i drejtohet bazës për rishikimin e problemit të Parlamentit”,- tha Berisha. Ndërkohë që për mandatet e deputetëve, ai është i sigurtë se ato do të mbeten. “Është një ligj për të përjashtuar deputetët e PD-së”- ka thënë Berisha. Por në bazë të fjalëve të tij, nëse diçka e tillë bëhet atëherë mund të shkohet drejt zgjedhjeve të reja, gjë që PD-ja nuk e dëshiron. “Nëse duan të çojnë vendin në zgjedhje duke hequr deputetët e PD-së, kjo është zgjedhja e tyre, përgjegjësinë e kanë ata”- tha Berisha.

Lajmet Kryesore

MË TË LEXUARAT

Më shumë nga 30 Vite KohaJone

Më shumë nga 30 Vite KohaJone

Lajmet e Fundit

Te Fundit