Home Historiku Majko: Burri ...

Majko: Burri vdes në zyrë, jo si Nano që iku në Maqedoni

21
0

Më lejoni të shpreh kënaqësinë time të thellë që sot gjendem mes jush. Kisha planifikuar më se njëherë të vija në Tropojë, por një gjë e tillë u bë e mundur vetëm sot dhe më lejoni t’ju them se kam ardhur këtu, jo раdashur të nënvizoj një simbol të qartë e që do të doja ta konsideroja pikërisht si simbol. Kam ndjekur nga afër peripecitë që kanë bashkudhëtuar në këto dhjetë vjetet e fundit pluralizëm në trevën tuaj, peripeci që nuk kanë nisur sigurisht para dhjetë vjetësh dhe që natyrisht janë ende larg asaj që do të quhej zgjidhje përfundimtare, por që sidoqoftë kanë hyrë në rrugën e zgjidhjes. Tek ju mund të gjendej një veçanti, emri i nderuar i trevës suaj më parë ishte margjinalizuar dhe lidhej padrejtësisht me emrin e një individi, i dorëzohej dhe i lihej peng si pronë një individi dhe fajësia e tij, prej një pjese të konsiderueshme të kundërshtarëve të tij politikë, shpërndahej në mënyrë të padrejtë dhe kolektive mbi të gjithë ju. Dhe kjo ishte më e pakta që mund të realizonte, fatmirësisht pa mundur ta bëjë një gjë të tillë plotësisht, një politikë e cila vetë ishte e margjinalizuar në thelbin e saj. Dhe kjo ndodhte vetëm një vit pasi bijtë tuaj në shumicë u ndeshën për të shembur idenë që ngjiznin koka të nxehta për ndarjet e konfliktit veri-jug. Ky konflikt i sponsorizuar nga antishqiptarizma më e thellë nuk mundi të realizohej edhe pse ju, shumica juaj, e kundërshtuat me forcën e bindjes suaj. Ju demonstruat forcën tuaj, karakterin e fortë të burrave që flasin prerë në kuvend dhe dinë të luftojnë e të vdesin edhe kur pak muaj më parë, shumë nga ju u rreshtuan në krah të forcave të mbrojtjes kufitare, në krah të ushtrisë shqiptare, në vendin ku ju kërkonte nderi ynë i përbashkët, kundër provokacioneve serbe në kufi.

Tanimë ju keni të drejtë të krenoheni me plagët tuaja e ne të gjithë kemi të drejtë të krenohemi deri dhe me rrënojat e shtëpive që ju i kthyet në fortifikata. Një gjë e tillë nuk mund të harrohet, të jeni të sigurt se kështu ju edhe njëherë keni fituar të drejtën të jeni krenarë, ndërsa qeveria juaj ka fituar të drejtën për të qenë e detyruar karshi jush. Pak kohë më parë, në zyrën time vinin lajme shqetësuese nga treva juaj që po kthehej dalëngadalë në një vaz të krimit, të vetëgjyqësisë, në një xhep të harruar të vendit ku ligji nëpërkëmbej nga e drejta e më të fortit e ku më i dobëti ishte destinuar të mbetej viktimë. Kur disa përfaqësues të pushtetit lokal, që ju vetë i keni zgjedhur, më prezantuan një shqetësim të tillë u thashë se Tropoja nuk mund të ishte një emër i harruar. Shteti do të vijë në Tropojë, u thashë, por atëherë bëni kujdes. Shteti nuk mund të humbasë kurrë dhe të mos guxojë askush të hyjë në gjak me shtetin. U deshën të ndodhin disa ngjarje të rënda njëra pas tjetrës, që në momentin e duhur, me forcën e ligjit, me dinjitetin e shtetit, shteti e ligji të vinin sërish në Tropojë për të sjellë jetën normale. Dhe kështu do të jetë këtej e tutje, sepse qeveria që unë drejtoj ka vendosmërinë e duhur për të sjellë këtë jetë e duhur për të sjellë këtë jetë normale edhe këtu në Tropojë, jetën me më shumë punë, më shumë dritë, ujë e telefon, të afrojë më shumë mundësi për të punuar e fituar. Distancimi juaj i qartë nga krimi e dhuna janë një arsye më tepër për të insistuar në këtë rifillim. Sot është më mirë se dje, nesër do të jetë më mirë se sot. Të gjithë bashkë mund të humbasim ndonjë betejë nga betejat e përditshmërisë sonë, por luftën, luftën e madhe për të fituar një jetë normale padyshim që të gjithë bashkë jemi të detyruar ta fitojmë.

Një vit më parë

Një vit me parë Tirana, kryeqyteti shqiptar, përjetoi një nga dramat e tij më të mëdha. Ishte vrarë Azem Hajdari, deputet i katër legjislaturave në Kuvendin Popullor, lider i lëvizjes studentore dhe bir i Tropojës. Dhimbja kërkon lot dhe drejtësi, por nuk ndodhi vetëm kështu. Në vend që të gjendeshin vrasësit e vërtetë, ekzekutorët e tij, funerali i Azem Hajdarit u kthye në një sprovë të armatosur kundër vetë shtetit, kundër ligjit, kundër votës dhe institucioneve. U sulmuan dhe u dogjën institucionet kryesore të shtetit, në atë që organi i akuzës ka arsye serioze për ta cilësuar tentativë për grusht shteti. Kriza politike që pasoi i kushtoi vendit jo pak energji dhe vlera të shpenzuara fort për ta tejkaluar. Thënë me fjalë të tjera, kjo krizë na la me më pak mundësi për të punuar që të siguroheshin dritat, uji, të ndërtoheshin rrugë, të jepeshin para për spitalet, shkollat, pra të punohej për të garantuar një Shqipëri normale, një vend normal ku mund të jetohet duke punuar.

Lajmet Kryesore

MË TË LEXUARAT

Më shumë nga 30 Vite KohaJone

Më shumë nga 30 Vite KohaJone

Lajmet e Fundit

Te Fundit