Home Historiku Viktor Gjika:...

Viktor Gjika: “Xhifoni Film Festival”, pesëmbëdhjetë vjet pas

36
0

Pa mbërritur akoma mirë në Xhifoni duhej marrë pjesë në takimin e organizuar me fëmijët dhe kineastët e njohur në serinë “Çfarë i jep shekulli që po shkon shekullit që po vjen”, që ishte një nga idetë origjinale që solli mendja produktive e K. Gubitosit. Atë ditë përpara 100 fëmijëve regjisori Xh. Amelio dhe unë duheshim t’u përgjigjeshim pyetjeve të shumta të tyre. Unë me regjisorin e mirënjohur kishim patur kohë të njiheshim gjatë udhëtimit nga hoteli Mediterranea ku ishin instaluar mjaft nga kineastët e ftuar. Në fytyrën e tij kishte një shqetësim ose më mirë të them, një brengë. Ai e dinte që filmi “L’America” kishte ngjallur mjaft polemika në Shqipëri, që organizimi i premierës së tij kishte dështuar.

Më vonë ishte shfaqur në një nga Televizionet private. Edhe vetë prezantimi i filmit në Festivalin e Venecias nga pretendentët për Luanin e Artë kishte përfunduar në një çmim të dorës së dytë. Dukej sikur kishte nevojë të shpjegohej. Në bisedat në makinë rrugës, unë iu shmanga me kujdes hapjes së temës. Kisha një plan më serioz në kokë. Fëmijët na pritën me duartrokitje të përzemërta, që na shoqëruan deri sa filluan pyetjet nga salla dhe përgjigjet nga podiumi. Pyetjet ishin të ndryshme.

Interes ngjallën planet e tij për të ardhmen dhe opinioni i Xh. Amelios për filmin amerikan “Titaniku”. Ai e quajti filmin një përrallë sentimentale. Dhe me këtë korri duartrokitjet entuziaste të sallës. Dukej që fëmijët ishin të disgustuar nga efektet teknike, përmbajtja melodramatike dhe loja ilustrative e aktorëve (si i quajti Xhani Amelió në unison me fëmijët). Kur mbaruan pyetjet për Amelion, m’u drejtuan mua në pyetjen e parë: Nëse do të bënit një film bashkë me italianët, cilët aktorë do të ftonit në të? Pyetja ishte e papritur. Për të fituar kohë të mendohesha nxora planin që kisha në kokë dhe u përgjigja :- Para se të përgjigjem dua t’i bëj Xh. Amelios dy pyetje: 1. Pse dhe si i lindi në kokë ideja për të bërë filmin “L’America”? 2. Ç’mendim ka ai për Shqipërinë dhe shqiptarët? Amelio u duk sikur këtë priste dhe shpërtheu në sqarime mjaft bindëse. Ai sqaroi se mendimi për filmin i lindi në Shqipëri duke njohur italianët e parë që u dyndën aty në fillim të viteve ’90 dhe u “sulën” me plane zhvatëse dhe jo plane ndihmëse. Ndaj ai desh t’u thoshte bashkëkombësve të vet të mos harronin se ashtu si ata u sulën në vitet 1945-50 drejt Amerikës, si drejt ëndrrës për një jetë të lumtur pas disfatës fashiste, kështu edhe shqiptarët e viteve ’90 pas disfatës komuniste u sulën drejt Italisë si drejt një ëndrre të re për jetë të lumtur.

Por ata ashtu si edhe italianët, do t’i presin zhgënjime tronditëse, ndaj u bie italianëve të ndihmojnë vëllezërit e tyre shqiptarë për të gjetur realizimin e ëndrrës së madhe në tokën e atdheut të tyre. Pastaj, në mënyrë të veçantë, Xh. Amelio foli me një dashuri të madhe për Shqipërinë, si vendin më të bukur që ai ka parë dhe për shqiptarët si njerëz me zemër të madhe e aftësi të veçanta. Ai kujtonte të gjithë bashkëpunëtorët e tij shqiptarë si Pirro Milkani, Resim Kurtin apo regjisorin Gjergji Xhuvani, që e quajti mjaft të talentuar. Ai kishte pëlqyer filmin e tij “Dashuria e fundit” dhe kishte bërë çmos si kryetar jurie që ai të fitonte çmimin në Festivalin e Bastijës.

Xhani Amelio foli edhe për planet e tij në ndihmë të shqiptarëve, sidomos për dëshirën e vet për të dhënë kontributin në hapjen e një shkolle kinematografike në Shqipëri. Përgjigjet e Amelios u priten me ovacione.

Tani unë mund t’i përgjigjem pyetjes suaj,- fillova unë.- Nëse do të më jepet rasti të bashkëpunoj me kineastët italianë, unë do të zgjidhja aktorin Leonardo di Kaprio, por…

Nuk arrita të vazhdoja nga fishkëllimat. Auditori nuk pëlqente Di Kaprion.

Por,- ngula këmbë,- jo për të bërë një “Titanik 2” por një “Antititanik”. Këtu shpërthyen duartrokitjet.- Një Antititanik ku një vajzë (Aktore shqiptare) dhe një djalë (Aktori Di Kaprio) gjejnë dashurinë e tyre të madhe në anije të mbushur plot e përplot me refugjatë, në një anije, pra, si atë që kini pare tek filmi “L’America” të mjeshtrit Xh. Amelio.

Dhe unë u ktheva nga ai. Salla shpërtheu në duartrokitje. Në pyetjen tjetër për mua “Pse në këtë festival nuk ka filma shqiptarë”, u përgjigj vetë z. Klaudio Gubitosi.

Sot që kinematografia shqiptare është në vështirësi të mëdha do ta ndihmojmë atë ndryshe, duke vajtur ne aty, ndërhyri ai. Dhe pastaj shtjelloi idenë e tij për një plan Marshall në fushën e kinematografisë shqiptare ku përfshihen organizimi i një Festivali Europian të filmit në Shqipëri, krijimin e kushteve për bashkëprodhime me kinematografinë italiane, hapjen e një shkolle kinematografie në Shqipëri etj.

Lajmet Kryesore

MË TË LEXUARAT

Më shumë nga 30 Vite KohaJone

Më shumë nga 30 Vite KohaJone

Lajmet e Fundit

Te Fundit