Home Historiku Anila Basha: ...

Anila Basha: Kufiri me Kosovën, atje ku njerëzit bashkëjetojnë me luftën

57
0

Pak kilometra larg kufirit jugosllav, në Golaj të Hasit, por edhe në fshatrat e tjera të zonës, bombardimet e serbëve mbi Kosovë dëgjohen më mirë se në çdo vend tjetër. Por, shqiptarët brenda kufirit tashmë janë mësuar me këto oshtima që në të shumtën e rasteve i dëgjojnë në mëngjes herët. Kosova ishte shumë afër me këto zona, dhe fshatrat e Gjakovës, nuk i ndanin veçse 100 deri 200 metra nga toka shqiptare. Shqiptarët brenda kufijve, gjatë gjithë këtij viti e kanë menduar shumë shpesh luftën, madje, kanë filluar të bëjnë edhe stërvitje ushtarake si në kohën e Enver Hoxhës. Këto janë forcat vullnetare që do të vijnë në ndihmë të postave kufitare në rast sulmi. Ajo që u intereson më shumë atyre, është zgjidhja sa më e shpejtë e çështjes së Kosovës.

“Zgjidhja e Kosovës është vetëm pavarësia dhe për këtë duhet të ndihmojnë të gjithë shqiptarët”, thotë Hasan Peka. “Edhe nëse na bombardojnë ne, nuk kena ku me shku tjetër, veçse me luftu. Gjithë familja do marrë armën në dorë”.

Asgjëkund në ato zona, nuk gjeje një vendstrehim në rast lufte. Por, hasianët e kanë ndarë mendjen se nëse serbi do të sulmojë, ata do të luftojnë për të mbrojtur shtëpitë e tyre. Kanë dëgjuar për konferencën e Rambujesë, por nuk thonë dot asnjë fjalë. Më tepër duken se janë biseda që dikush ua ka sqaruar më parë.

“Vetëm dy pika ka për marrëveshjen: të mos dorëzohen armët dhe të shpallet pavarësia e Kosovës”. Mendohet pak dhe pastaj thotë duke tundur kokën se kosovarët nuk kanë pse firmosin asnjë marrëveshje. “E kanë firmosur një”,- thotë ai duke kujtuar pushkën. Kujtohet prapë më pas dhe e zë inati me Amerikën. “Amerikani ia ka shitur një herë armët Kosovës, pse don që t’ia mbledhi tashi? Apo me ia shit prapë pas ca vjetësh…”, dhe mendon se edhe në këtë mes ka një hile dhe askush nuk e ka mendjen te të drejtat e shqiptarëve, përveç vetë kosovarëve. Hasiani nuk kishte pasur asnjë kontakt me UÇK, “sepse as ata nuk më kanë rënë në qafë”. Por ishte i bindur se nuk mundej t’i linte trojet. Ai pranonte që në shtëpinë e vet të mbante gra e fëmijë, pleq e plaka që vinin nga Kosova, por asnjë burrë.  “S’kanë ç’bajnë nëpër shpia. T’shkojnë atje me luftu”,- thotë ai, duke drejtuar sytë nga ana tjetër e malit ku gjendej Kosova. “Në ban me fillue lufta, fillon edhe ligji i luftës. Nuk ia falim serbit Kosovën. Veç po s’mujtëm”, – vazhdon ai.

Kërkon të sqarojë se shqiptarët nuk mund të ulen dhe të bëjnë paqe me një njeri që u ka prekur familjen, gruan, djalin e vajzën. Dhe kjo është një traditë e kahershme e shqiptarëve si brenda, ashtu edhe jashtë kufijve. “Ne shqiptarët nuk ia falim njëri-tjetrit, e jo më t’ia falim serbit”,- thotë ai duke kujtuar se gjatë këtyre viteve vetëm nga hasmëritë janë vrarë e prerë edhe vëllezërit me njëri-tjetrin. “Gjakmarrja në zonat tona është e theksuar dhe ne nuk mund t’ia falim serbit gjakun”, vazhdon ai.

Hasi, kosovarët gjejnë mikpritjen

Me gjithë varfërinë e madhe që kishin vetë shqiptarët, të detyruar nga gjendja e tensionuar e kufirit, duhet të mendonin edhe për atë që mund të vinte më pas. Nuk i besonin kësaj paqeje të rreme, por në të njëjtën kohë kërkonin që të bëhej më e mira. Shumë kosovarë kanë strehuar në shtëpitë e tyre. Ndërsa vetë të ardhurit, edhe pse ka muaj që kalojnë me shqiptarët, kërkojnë që të kthehen menjëherë në shtëpitë e tyre. Kosovarët nuk kanë pretendime, por kujtojnë varfërinë e Shqipërisë, thonë se pasuritë e Kosovës, kanë ditur t’i shfrytëzojnë sa për të siguruar jetën e tyre.

Vendqëndrimi i parë i të ardhurve nga Kosova, është pikërisht krahina e Hasit, e cila ndahet me pjesën e mbetur jashtë Shqipërisë, vetëm nga një mal. Fshatarët e varfër, u kishin hapur dyert e shtëpive që para një viti, por dhe vetë kosovarët, më tepër pleq, plaka e gra, nuk ndiheshin shumë rehat larg shtëpisë së tyre. Kishte nga ata njerëz që u kishin dhënë një pjesë të shtëpisë të ardhurve, ndihma më e madhe që mund të jepnin. Shumë kosovarë hynin nga gryka e Dobrunit dhe zhvendosjen e tyre të parë e kishin në Has. Nëpër shtëpi, ishin vendosur sa për të mos mbetur jashtë, sepse Hasi nuk kishte ç’t’u jepte më tepër. Halil Kelmekshaj, jeton në dhomën e bukës në shtëpinë e shqiptarit Zenun Lleshi, bashkë me gruan dhe dy fëmijët. Ishte nga Lipoveci dhe u largua nga Kosova pasi i kishin djegur shtëpinë. “Kur m’u kall shpia, atëherë mora rrugën dhe erdha këtej”,- tregon ai.

Dhoma ku rrinte ishte shumë e varfër. Mbi sobë ishte vendosur një ibrik i vogël me ujë të nxehtë për vajzën e vogël. Po aty, ishte lidhur edhe një tel për të nderur rrobat e lagura dhe mbi dyshemenë e ftohtë ishin shtruar shumë batanije. Halili ishte djalë i ri, por nuk kishte shkuar të bashkohej me UÇK-në. “Nuk kisha ku të lija gruan dhe fëmijët, ndaj u detyrova me ardh këtej. Po nuk kam çka me thanë. Këta më hapën shtëpinë”,- tha ai. Ndërsa mendon se lufta mund të përfshijë edhe Hasin, ai thotë se do të luftonte për të mbrojtur Shqipërinë, pa dhënë asnjë sqarim se pse nuk luftonte në Kosovë. “Pa Shqipëri nuk ka Kosovë, dhe pa Kosovë nuk ka Shqipëri. Janë nënë e bijë bashkë”. Gjithë ditën e kalonte kot, duke dalë rrugëve të Hasit dhe kur kishte ndonjë punë me Kryqin e Kuq, mundohej të punonte edhe ai. “E pse mos me punu, kur jemi t’mujtur. Po ktu s’kena çka me punu”, – thotë ai duke tundur ligësht kokën dhe duke mos parë asnjë perspektivë, as tek malet që kishin mbetur të shkreta për vite me radhë, por as tek tokat që as vetë shqiptarët nuk i punonin. Nuk kishte tentuar asnjëherë për t’u larguar nga Shqipëria. “Kam qenë një muaj në Zvicër. Jam betue që nuk do të dal jashtë shtetit shqiptar. Ndërsa dalim jashtë Kosovës, jashtë Shqipërisë, jo nuk mundena. Nëse Hasi lyp përkrahje prej nesh, atëherë ne mundna me shku, vazhdon ai. Me mendimin e tij për të punuar dhe luftuar në Shqipëri, nuk bashkohej e shoqja, një vajzë e re. Ajo tregonte vetë se kishte shumë frikë. “M’duket sikur jam n’vend t’huaj, sepse nuk njifem dhe nuk i njoh njerëzit”,- thotë ajo dhe mendon se ka tre muaj në Has dhe nuk ka dalë njëherë nga shtëpia. Por ndonjëherë, kur dilte me të shoqin dhe fëmijën jashtë shtëpisë që ishte në rrëzë të malit gruaja kujtonte të shkuarën në shtëpinë e vet. “Më duket kur dal që ktu, sikur më vjen flladi i Lipovecit”,- dhe hidhte sytë lart në majën e malit për të treguar se pas tij ishte Kosova dhe shtëpia e saj.

Lajmet Kryesore

MË TË LEXUARAT

Më shumë nga 30 Vite KohaJone

Më shumë nga 30 Vite KohaJone

Lajmet e Fundit

Te Fundit